news image
Vizitë e drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela në Komunën e Çashkës

Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV-së, Ylber Sela, vizitoi Кomunën e Çashkës, ku zhvilloi një takim pune me kryetarin e saj, Goran Stojanovskin. Duke iu falënderuar për mundësinë e një takimi të drejtpërdrejtë, drejtori Sela e informoi kryetarin Stojanovski se cikli i planifikuar i vizitave në njësitë e vetëqeverisjes lokale fillon pikërisht nga Komuna e Çashkës, në të cilën së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga maqedonishtja, por që do të realizohet gjatë këtij viti. Gjithashtu, drejtori Sela kishte rastin që drejtpërdrejt nga terreni ta shohë situatën me zbatimin e gjuhëve zyrtare në Komunën e Çashkës, si njëra nga komunat me sipërfaqe më të madhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku përveç maqedonishtes, gjuhë zyrtare është edhe shqipja dhe alfabeti i saj, duke marrë parasysh përfaqësimin etnik të popullsisë. Përkundër përparimit të konstatuar, mbetet që të ndërmerren aktivitete të mëtejshme dhe përpjekje shtesë lidhur me ekipimin e komunës për përkthimin dhe lekturimin e dokumentacionit zyrtar, sigurimin e shërbimeve komunale efikase në gjuhët zyrtare për qytetarët, harmonizimin në pjesën e emërtimeve të objekteve të infrastrukturës brenda komunës dhe shkrimin e tyre në gjuhët zyrtare etj. Në këtë pjesë, drejtori Sela ofroi ndihmë profesionale nga ana e AZGJ-së për përkthimin dhe lekturimin e formularëve, kërkesave dhe akteve të tjera zyrtare që përdoren nga qytetarët si shfrytëzues të shërbimeve komunale. Të dyja palët këtë takim e vlerësuan si tejet të dobishëm dhe frytdhënës, për çka u zotuan për avancimin e bashkëpunimit dhe komunikimit midis dy institucioneve.

Feb 5, 2021
news image
Agjencia e Zbatimit të Gjuhës dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale përforcojnë bashkëpunimin

Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela sot vizitoi Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, ku realizoi takim pune me ministrin e saj, Goran Milevski. Në takim u diskutua për çështjet që u vlerësuan si prioritet në pjesën e zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në realizimin operativ të kompetencave të kësaj ministrie. Drejtori Ylber Sela theksoi se kjo ministri është një subjekt i rëndësishëm institucional që kujdeset për funksionimin e sistemit të vetëqeverisjes lokale në interes të ofrimit të shërbimeve publike cilësore për qytetarët dhe për realizimin e të drejtave të tyre, duke përfshirë përdorimin e gjuhëve zyrtare në procedurat administrative. Bashkëbiseduesit konstatuan se ministria po ballafaqohet me kapacitet të kufizuar të kuadrit për përkthim dhe lekturë, ku drejtori Sela u ofroi ndihmë për tejkalimin e kësaj situate nëpërmjet shërbimeve profesionale nga ana e AZGJ-së në pjesën e përkthimit dhe të lekturimit të akteve zyrtare në kompetencë të ministrisë. Gjithashtu, u shkëmbyen edhe ide për bashkëpunim në projektet e ardhshme në pjesën e përgatitjes së publikimeve për përdorimin e gjuhëve zyrtare në njësitë e vetëqeverisjes lokale, si dhe iniciativa të tjera për të cilat do të diskutohen modalitetet për realizimin e tyre. [gallery bgs_gallery_image_size="full" bgs_gallery_type="slider" size="publisher-lg" ids="5149,5152"]

Dec 23, 2020
news image
Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela - në vizitë pune në Këshillin Inspektues

Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela, sot realizoi vizitë pune në Këshillin Inspektues, ku u takua me kryetaren e tij, Magdalena Filipovska – Grashkoska, dhe sekretaren e përgjithshme Daniela Rendevska. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se Këshilli Inspektues është një institucion kyç në sistemin e inspektimit dhe një takim i këtillë është më se i dobishëm, për arsye se paraqet një mundësi për të shkëmbyer mendime në lidhje me zbatimin e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në punën e këtij këshilli. Përkundër vonesës në realizimin e aspekteve të caktuara të ligjit në funksionimin e përditshëm të Këshillin Inspektues, në këtë takim u shqyrtuan dilema të caktuara në lidhje me zbatimin praktik të aktvendimit ligjor. Drejtori Y. Sela ofroi mbështetje të plotë në fushën e ndihmës profesionale për përkthimin dhe lekturimin e dokumenteve zyrtare dhe të akteve. Gjithashtu, u dakorduan që, në bashkëpunim me Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe të Administratës, të fillojë një procedurë për përshtatjen e akteve nënligjore që e përshkruajnë formën dhe përmbajtjen e akteve të inspektimit, për t’i siguruar versionet gjuhësore të akteve në të dy gjuhët zyrtare. Të dy palët u zotuan ta avancojnë më tej bashkëpunimin në interes të sigurimit të plotë dhe të respektimit të qëndrueshëm të detyrimeve ligjore. [gallery bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" size="publisher-lg" ids="5131,5134"]

Dec 22, 2020
news image
Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela në takim pune me ministren Mila Carovska

Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, Ylber Sela sot realizoi një takim pune me ministren e Arsimit dhe të Shkencës të RMV-së, Mila Carovska. Me këtë rast drejtori Y. Sela theksoi se qëllimi i këtij takimi është që së bashku të bëjmë diçka në aspektin e ndërtimit të shoqërisë sonë multietnike. Pas miratimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, shtoi ai në vazhdim, në RMV është krijuar një realitet tjetër. Në sistemin arsimor gjuha shqipe duhet të bëhet obligative për nxënësit maqedonas dhe gjuha maqedonase për nxënësit shqiptarë. Duhet të krijohet një vetëdije dhe disponim i ri. Por kjo varet shumë nga njeriu i parë që e drejton një institucion. Si shembull i mirë duhet të na shërbejë përvoja e Bolzanos, një qytet shumëgjuhësh në Itali, ku funksionojnë në mënyrë të shkëlqyer tri gjuhë zyrtare, si dhe në disa vende të tjera të Bashkimit Europian. Për sa u përket të dy institucioneve, vuri në dukje ai, ne mund të bëjmë shumë gjëra të përbashkëta, bie fjala shënimin e Ditës Europiane të Gjuhëve në muajin shtator, ku bashkë me ne mund të përfshihet edhe Këshilli i Europës. Po ashtu, me Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës mund të organizojmë debate për librat shkollorë, ku ne gjithsesi mund ta japim kontributin tonë. Po ashtu, drejtori Sela i propozoi ministres Carovska që në vitin e ardhshëm shkollor akademik të ndahen bursa për studentët e katedrave të përkthimit dhe interpretimit për universitetet tona, të cilët pastaj do të përfshiheshin në institucionet shtetërore për nevojat e tyre në fushën e përkthimit. Ne u japim mbështetje të plotë në aspektin e zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, theksoi në fund Ylber Sela, veçmas për sa u përket formularëve, dokumenteve dhe akteve zyrtare të ministrisë, për të cilat AZGJ-ja ka detyrë ligjore që t’i lekturojë ato. Për të gjitha këto ide dhe propozime, ministrja Mila Carovska shprehu gatishmëri të plotë për t’i realizuar bashkërisht, edhe shënimin e Ditës Europiane të Gjuhëve, edhe ndarjen e bursave për studentët, edhe shumë gjëra të tjera etj. Takimi u mbyll duke u zotuar që këto gjëra të konkretizohen dhe të realizohen. [gallery bgs_gallery_type="slider" size="publisher-lg" bgs_gallery_image_size="full" ids="5115,5118,5121"]

Dec 21, 2020
Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk