Fjalim i drejtorit Sela në tryezën e rrumbullakët të mbajtur në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare
I nderuar zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Sistemit Politik dhe i Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, z. A. Grubi,
I nderuar zëvendësministër, z. Rahman,
I nderuar sekretar shtetëror i Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, z. Beluli,
I nderuar drejtor i Agjencisë së Realizimit të të Drejtave të Bashkësive, z. Kurtish,
I nderuar drejtor i Inspektoratit Shtetëror të Përdorimit të Gjuhëve, z. Iseni,
I nderuar drejtor i Drejtorisë së Zhvillimit dhe të Promovimit të Arsimit në Gjuhët e Pjesëtarëve të Bashkësive, z. Stançiq,
I nderuar drejtor i Drejtorisë së Afirmimit dhe të Promovimit të Kulturës së Pjesëtarëve të Bashkësive, z. Ujkanoviq
Me shumë nder dhe kënaqësi e pranova ftesën për të marrë pjesë në tryezën e sotme të rrumbullakët, e cila mbahet në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare.
Më lejoni që me këtë rast, t'i shpreh mirënjohjen time zëvendëskryeministrit Grubi për ftesën që të marr pjesë në ngjarjen e sotme, si dhe për angazhimin e tij personal për zgjidhjen e çështjes hapësinore dhe sigurimin e kushteve për funksionimin e institucioneve publike që kanë kompetenca në fushat të cilat lidhen me pjesëtarët e komuniteteve, për t’u vendosur dhe funksionuar brenda një godine përfaqësuese në të cilën ndodhet Ministria e Sistemit Politik dhe e Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive.
21 shkurti është caktuar nga UNESCO si Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare dhe kremtohet në të gjitha vendet e botës. Babai i linguistikës moderne, shkencëtari dhe gjuhëtari i famshëm amerikan Noam Çomski, ka thënë: “Gjuha nuk janë vetëm fjalët. Është kulturë, traditë, bashkim i shoqërisë, një histori e tërë që portretizon shoqërinë ashtu siç është. E gjithë kjo mishërohet nëpërmjet gjuhës.” Në këtë kontekst, Republika e Maqedonisë së Veriut në kuptimin e plotë të fjalës e pasqyron kuptimin e termit “diversitet”, sepse përfaqëson pasuri nga gjuhët, kulturat dhe fetë e ndryshme që ndërthuren brenda një zone gjeografike.
Diversiteti gjuhësor, karakteri multikulturor dhe multikonfesional i shoqërisë sonë paraqet avantazh, e jo hendikep, dhe si specifika duhet të kultivohen dhe avancohen vazhdimisht në mënyrë që të sigurohet kohezioni shoqëror dhe bashkëjetesa midis komuniteteve. Nuk duhet që t’i nxisë idetë dhe ndarjet nacionaliste, por gjuha duhet të jetë faktor dhe mjet lidhës për veprimin ndëretnik.
Respektimi dhe kujdesi për diversitetin gjuhësor duhet të jetë gjithmonë në fokus të politikave publike për të siguruar përfshirjen e të gjitha komuniteteve duke mbështetur trajtimin e barabartë të diversitetit gjuhësor, përkundër favorizimit të specifikave gjuhësore dhe kulturore vetëm të një etnie. E drejta për të përdorur gjuhën amtare paraqet të drejtën themelore për çdo individ, dhe zhvillimi i proceseve demokratike në një vend varet nga shkalla e realizimit të së drejtës së barazisë gjuhësore dhe respektimi i pluralitetit gjuhësor.
Qëllimi i kësaj dite është të vlerësojmë gjuhën si një mjet të rëndësishëm për zhvillimin, sigurimin e diversitetit dhe dialogut ndërkulturor, si dhe forcimin e bashkëpunimit dhe arritjen e cilësisë në arsim për të gjithë, duke krijuar njëkohësisht shoqëri gjithëpërfshirëse.
Gjuha shqipe është thesari ynë i përbashkët. Prandaj ta duam, ta mbrojmë dhe ta promovojmë atë së bashku brez pas brezi.
Më lejoni, zonja dhe zotërinj, në fund të fjalimit tim, ta falënderoj edhe njëherë organizatorin për ftesën për pjesëmarrjen, si dhe për mundësinë për prononcimin tim në ngjarjen e sotme.
[gallery bgs_gallery_type="slider" size="publisher-lg" ids="5357,5360,5363"]
Feb 22, 2021