Agjencia e Zbatimit të Gjuhës mbajti Konferencën Shkencore “Gjuha dhe etnia”
Muajin nëntor, i cili tashmë njihet si muaj i festave te shqiptarët gjithandej, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së e shënoi me një aktivitet domethënës, përkatësisht me organizimin e Konferencës Shkencore “Gjuha dhe etnia”.Kjo konferencë u mbajt në auditorin e Universitetit të Europës Juglindore në Shkup, ku morën pjesë një numër i konsiderueshëm gjuhëtarësh e historianësh nga Maqedonia e Veriut, nga Shqipëria dhe nga Kosova, si Beqir Meta, Asllan Hamiti, Hysen Matoshi, Marenglen Verli, Sabit Syla, Fehari Ramadani, Qerim Lita, Haxhi Ademi, Sevdail Demiri, të cilët me kumtesat e tyre trajtuan çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar të shqiptarëve, me gjuhën shqipe si shenjë identitare, me alfabetin dhe drejtshkrimin e gjuhës shqipe, me shkollat e para në gjuhën shqipe, me bashkëpunimin arsimor, shkencor e kulturor, me rolin e gjuhës shqipe në aspektin e ndërgjegjësimit kombëtar etj.Në këtë konferencë shkencore ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë i RMV-së, Izet Mexhiti, ministri i Politikës Sociale, i Demografisë dhe i Rinisë, Fatmir Limani, kryetari i Komunës së Çairit në Shkup, Visar Ganiu, këshilltarë të ndryshëm, përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Kosovës në RMV, të punësuarit e Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, gazetarë, studentë etj.Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti i përshëndeti pjesëmarrësit e konferencës me një fjalim në frymën e mbështetjes dhe të mirënjohjes për punën e ekipit të AZGJ-së, si mision i rëndësishëm i lidhur ngushtë me historinë dhe kulturën e popullit shqiptar. Midis të tjerash, ai theksoi se, pavarësisht nga sfidat, gjuha është një nga faktorët më të fuqishëm që i bashkon shqiptarët dhe që e mbron trashëgiminë kulturore të tyre.Po ashtu, një fjalë përshëndetëse mbajti edhe drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV-së, Granit Osmani. Krahas tij, pjesëmarrësit në këtë konferencë i përshëndeti edhe Fatmir Limani, ministër i Politikës Sociale, i Demografisë dhe i Rinisë.Konferenca Shkencore “Gjuha dhe etnia” u mbyll me përurimin e librave të Mal Berishës, ish-ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe me promovimin e librit të pedagogut Bardhyl Musai.Në fund, drejtori i AZGj-së, Granit Osmani, në shenjë mirënjohjeje e falënderimi për kontributin shkencor që kanë dhënë në fushën e studimit dhe të afirmimit të gjuhës shqipe, pjesëmarrësve të konferencës në fjalë ua dorëzoi nga një mirënjohje me logon ABC.Shkup, 15.11.2024
Nov 15, 2024