Reagim i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës lidhur me deklaratën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski

Sep 2, 2024

Reagim i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës lidhur me deklaratën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski

 

Lidhur me deklaratën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski se me Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve “politika ka krijuar një lloj kaosi juridik, i cili ka rezultuar me kaos politik, mosbesim, dilema”, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së reagon siç vijon:

E para, deklarata e këtillë paraqet një aventurë shumë të rrezikshme për Republikën e Maqedonisë së Veriut, për shkak se preket njëra nga çështjet më të ndjeshme siç është gjuha e një etniteti, përkatësisht gjuha shqipe, çështje kjo e cila është zgjidhur me miratimin e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve më 2019, ligj ky që rrjedh pikërisht nga Marrëveshja e Ohrit e cila i dha fund konfliktit në këtë shtet. Ligj i cili në mënyrë të qartë dhe pa mëdyshje thotë që gjuhë tjetër zyrtare përveç gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj cirilik, është edhe gjuha shqipe dhe alfabeti i saj. Prandaj çdo përpjekje për ta ndryshuar këtë ose për ta reduktuar këtë të drejtë themelore, mbase është e rrezikshme.

E dyta, konstatimi i kryetarit në fjalë se ky ligj “ka prodhuar kaos politik, mosbesim, dilema”, konsiderojmë se është një tendencë për ta dramatizuar situatën pa asnjë nevojë reale. Nuk mund të merret në rishqyrtim një nismë e ngritur, siç thotë ai, “nga qytetarë, parti politike, shoqata të ndryshme”, për arsye se fare nuk cenohet e drejta gjuhësore e tyre. Nismat e këtilla janë kryekëput me karakter politik, nacionalist dhe antinjerëzor. Gjuha shqipe u përket shqiptarëve dhe nuk rrezikon askënd. Tendenca për ta përjashtuar shqipen nga përdorimi zyrtar, është ide e vjetër e cila, siç e dimë, ka prodhuar tensione dhe konflikte.

E treta, pavarësisht nga tendencat, përpjekjet dhe deklaratat e tilla tensionuese, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës do të vazhdojë ta kryejë punën e vet, siç ka bërë edhe deri tani, në pajtim me Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve, duke i ndihmuar institucionet shtetërore me përkthim dhe lekturim dokumentesh, aktesh e shkresash të ndryshme, të cilat përmbushim kërkesat dhe nevojat e qytetarëve shqiptarë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

You might also like

News

Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve

Vizitë e veçantë në ambientet e Agjencisë – Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve Sot, në cilësinë e drejtorit të Agjencisë, pata nderin dhe kënaqësinë, që së bashku me z-nj. Shpresa Zeqiri Ibrahimi, të mirëpres dy mysafire të nderuara nga Franca, znj. Sophie Desaint-Germain dhe znj. Séverine Chaillou, profesoresha në kolegjin Félix Buhot në qytetin Valognes të Francës, të cilat po qëndrojnë në vendin tonë në kuadër të programit evropian Erasmus +. Mysafiret franceze shoqëroheshin nga z. Ardian Ramadani, profesor, përkthyes dhe autor librash, si dhe nga znj. Gëzime Ramadani, profesoreshë e gjuhës frënge. Gjatë këtij takimi të ngrohtë dhe miqësor, pata rastin t'i njoftoj mysafiret me veprimtarinë e Agjencisë, misionin e saj institucional, përgjegjësitë dhe detyrat që realizojmë në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë. Takimi gjithashtu ishte një mundësi e çmuar për të shkëmbyer mendime mbi rëndësinë e arsimit, gjuhëve dhe kulturave si ura komunikimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet popujve. Në këtë frymë, theksuam se njohja e ndërsjellë, dialogu ndërkulturor dhe shkëmbimi i përvojave përbëjnë vlera të rëndësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe për afrimin e shoqërive tona. Besoj fuqishëm se gjuha dhe kultura nuk njohin kufij, por krijojnë ura që bashkojnë njerëzit, institucionet dhe kombet. I falënderova mysafiret për vizitën dhe bashkëbisedimin e frytshëm, me shpresën që takime të tilla të shërbejnë si nxitje për bashkëpunime dhe iniciativa të reja në të ardhmen.

Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk