Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela vizitoi Akademinë e Gjykatësve dhe të Prokurorëve Publikë “Pavell Shatev”
Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës (AZGJ), Ylber Sela, sot e vizitoi Akademinë e Gjykatësve dhe të Prokurorëve Publikë “Pavell Shatev” në Shkup, ku pati takim pune me drejtoreshën e saj, Natasha Gaber-Damjanovksa.
Ky takim është pjesë e një vargu takimesh që drejtori i AZGJ-së i realizon me udhëheqësit e institucioneve të sektorit publik në lidhje me zbatimin e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, përfshirë këtu dhe punën e akademisë si institucion publik.
Gjatë këtij takimi u konstatua se akademia është vonuar në realizimin e detyrimeve të zbatimit të dispozitave ligjore, edhe pse aktivitete të caktuara, siç është ndryshimi i vulave zyrtare, tabelave, kanë filluar, si dhe mundësia për të marrë testin psikologjik, si pjesë e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve në trajnimin fillestar të akademisë në gjuhët zyrtare.
Drejtori Sela theksoi se duhet një angazhim më i madh në mënyrë që akademia të intensifikojë procesin e harmonizimit të detyrimeve ligjore, dhe veçanërisht është e rëndësishme që ta mundësojë përdorimin e plotë të gjuhëve zyrtare në punën e saj, si dhe mundësinë që kandidatët t’i mbajnë provimet e akademisë në gjuhët zyrtare.
Drejtoresha Gaber-Damjanovska e informoi bashkëbiseduesin e saj se aktualisht po zhvillohet procesi i përzgjedhjes për pranimin e gjeneratës së tetë të kandidatëve në trajnimin fillestar të akademisë, por për shkak të kufizimeve buxhetore, teknike dhe të personelit, provimet që janë pjesë integrale e procesit të përzgjedhjes nuk do të zhvillohet në gjuhët zyrtare, por do të bëhen përpjekje që nga viti i ardhshëm të përmirësohet situata. Në këtë kontekst, drejtori Sela theksoi se AZGJ-ja është e gatshme për bashkëpunim dhe mund të ndihmojë në këtë proces me anë të ndihmës profesionale në pjesën e përkthimit dhe të lekturës së akteve të akademisë, si dhe trajnimin e stafit në pjesën e përkthimit dhe përdorimit të terminologjisë së gjuhëve zyrtare.
Të dyja palët u zotuan të mbajnë komunikim dhe bashkëpunim të rregullt për realizimin sa më të lehtë dhe më efikas të të drejtave të qytetarëve në gjuhët zyrtare.
[gallery bgs_gallery_type="slider" size="publisher-lg" bgs_gallery_image_size="full" ids="5032"]
Dec 9, 2020