Tryezë e Rrumbullakët

Feb 21, 2022

Tryezë e Rrumbullakët

Të nderuar të pranishëm,

Është nder dhe kënaqësi e madhe që e pranuat ftesën për të qenë pjesë e tryezës së sotme, e cila mbahet në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare.

Ashtu si vitin e kaluar edhe këtë vit sërish e shënojmë këtë ditë të rëndësishme, 21 shkurtin, e cila është shpallur nga UNESCO-ja si Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare.

Gjuha është aftësi e lindur biologjike, por mësimi i saj është proces i përjetshëm. Është burim i pashtershëm që rrjedh dhe që duhet të kultivohet, të përmirësohet dhe të kujdesemi për pastërtinë e saj. Gjuha amtare jo vetëm simbolizon veçantinë e një populli, e një kulture, një historie, por shërben edhe për bashkimin e njerëzve dhe lidhjen kulturore të brezave që i ndërtojnë vlerat civilizuese në shoqëri.

Republika e Maqedonisë së Veriut, si hapësirë në të cilën ndërthuren shumë gjuhë, kultura dhe religjione, është sinonim i diversitetit gjuhësor që përbën një bashkësi shoqërore të dallueshmërisë.

Në këtë kontekst, dallueshmëria e tillë, duhet parë si përfitim dhe jo si pengesë për përparimin shoqëror dhe kohezionin social. Gjuha e arsyes thyen të gjitha barrierat, stereotipet dhe paragjykimet dhe është faktor për ndërveprim ndëretnik.

Sigurimi i kushteve për edukimin dhe shprehjen e gjuhës amtare në një mjedis demokratik duhet të jetë gjithmonë në interes të aktorëve shoqërorë, ndërsa sigurimi i respektimit të veçantisë gjuhësore të të gjitha etnive dhe gjuhëve të tyre duhet të jetë një nga prioritetet gjatë zbatimit të politikave gjuhësore. Gjuha amtare dhe përdorimi pa probleme i saj, është e drejtë themelore e çdo individi dhe pjekuria demokratike e një shteti, shihet në mënyrën dhe shkallën e realizimit të kësaj të drejte të garantuar me akte të shumta ndërkombëtare.

Sot, e festojmë këtë datë të rëndësishme për të shprehur respektin tonë për gjuhën shqipe, si gjuhë zyrtare në nivel institucional dhe gjuhë amtare e shumë qytetarëve në vendin tonë. Por jo vetëm njohja e gjuhës amtare, por edhe njohja e gjuhës së një bashkëqytetari nga një bashkësi tjetër etnike, kontribuon në kuptim më të mirë, bashkëpunim dhe lidhje më të madhe të kulturave të ndryshme përmes këtij mjeti të rëndësishëm - gjuhës si pasuria më e madhe shpirtërore e njeriut.

Më lejoni, zonja dhe zotërinj, në fund të fjalimit tim, t'ju falënderoj edhe një herë për pjesëmarrjen tuaj dhe shpresoj se do të kemi prezantime të rëndësishme dhe diskutim të frytshëm brenda kësaj tryeze.

You might also like

News

Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve

Vizitë e veçantë në ambientet e Agjencisë – Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve Sot, në cilësinë e drejtorit të Agjencisë, pata nderin dhe kënaqësinë, që së bashku me z-nj. Shpresa Zeqiri Ibrahimi, të mirëpres dy mysafire të nderuara nga Franca, znj. Sophie Desaint-Germain dhe znj. Séverine Chaillou, profesoresha në kolegjin Félix Buhot në qytetin Valognes të Francës, të cilat po qëndrojnë në vendin tonë në kuadër të programit evropian Erasmus +. Mysafiret franceze shoqëroheshin nga z. Ardian Ramadani, profesor, përkthyes dhe autor librash, si dhe nga znj. Gëzime Ramadani, profesoreshë e gjuhës frënge. Gjatë këtij takimi të ngrohtë dhe miqësor, pata rastin t'i njoftoj mysafiret me veprimtarinë e Agjencisë, misionin e saj institucional, përgjegjësitë dhe detyrat që realizojmë në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë. Takimi gjithashtu ishte një mundësi e çmuar për të shkëmbyer mendime mbi rëndësinë e arsimit, gjuhëve dhe kulturave si ura komunikimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet popujve. Në këtë frymë, theksuam se njohja e ndërsjellë, dialogu ndërkulturor dhe shkëmbimi i përvojave përbëjnë vlera të rëndësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe për afrimin e shoqërive tona. Besoj fuqishëm se gjuha dhe kultura nuk njohin kufij, por krijojnë ura që bashkojnë njerëzit, institucionet dhe kombet. I falënderova mysafiret për vizitën dhe bashkëbisedimin e frytshëm, me shpresën që takime të tilla të shërbejnë si nxitje për bashkëpunime dhe iniciativa të reja në të ardhmen.

Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk