Përfundoi trajnimi i përkthyesve dhe i lektorëve

Jul 9, 2021

Përfundoi trajnimi i përkthyesve dhe i lektorëve
Pas dy muajsh program të ngjeshur, të mërkurën, 7 korrik, përfundoi trajnimi i lektorëve dhe i përkthyesve të administratës nën organizimin e Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës. Në programin dymujor të trajnimeve, morën pjesë 68 përkthyes dhe lektorë nga 31 institucione të ndryshme të administratës, të cilëve në shtator të këtij viti Agjencia e Zbatimit të Gjuhëve do t’u ndajë certifikata.
Ligjëruesit e fundit ishin profesori i njohur nga Shqipëria, dr. Emil Lafe, i cili trajtoi çështjet drejtshkrimore dhe pastërtinë e gjuhës dhe prof. dr. Ajten Hajdari Qamili, e cila pjesëmarrësve u ligjëroi për analizë teksti.
“Krijimi i AZGJ-së dhe nisja e mbarë e veprimtarisë së saj përbën një ngjarje me rëndësi të veçantë jo vetëm për jetën kulturoro-shkencore e shoqërore të shqiptarëve në RMV, por edhe për kulturën dhe jetën mendore e shoqërore shqiptare në tërësi. Inteligjencia shqiptare në RMV me mbështetjen edhe të faktorit politik shqiptar, ka shënuar përparime domethënëse, veçanërisht në fushën e studimeve albanologjike, të kulturës, të letërsisë dhe të arteve.”, thotë prof. Emil Lafe, i cili ligjëratën e tij me tri grupet e trajnimit e mbajti onlajn, nga Tirana. Ai konsideron se të gjitha këto çojnë te vlerësimi i gjuhës standarde shqipe, si një mjet dhe faktor i dorës së parë për zhvillimin e mëtejshëm cilësor të jetës shoqërore e kulturore të shqiptarëve në RMV, duke i dhënë asaj një vend gjithnjë e më të spikatur në kulturën tonë kombëtare.
“Së bashku me kolegët e tjerë të Shoqatës së Gjuhësisë Shqiptare e kemi mirëpritur ftesën e AZGJ-së për bashkëpunim dhe do të jemi gjithnjë të gatshëm të japim ndihmesën tonë në mbarëvajtjen dhe përmbushjen e programit të saj. Pjesëmarrja jonë në konferencën “Shumëgjuhësia dhe sfidat e zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në RMV” (shkurt 2020), na dha mundësi të njohim nga afër detyrat dhe synimet e AZGJ-së, si edhe të vërejmë te punonjësit e saj një ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe përkushtimi ndaj detyrës. Ne do të jemi gjithnjë së bashku me ju, sepse detyra juaj është edhe detyra jonë, suksesi juaj është edhe suksesi ynë”, thekson prof. Emil Lafe në vlerësimet e tij për trajnimet dhe aktivitetet që AZGJ-ja ka ndërmarrë deri më tash.
Trajnimet e këtilla, siç vë në dukje profesoresha Ajten Hajdari Qamili, kanë qenë ndër misionet kryesore të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës dhe që do të vazhdojë edhe viteve të ardhshme, varësisht nga nevojat, pasi dihet se ka mungesë të cilësisë dhe mungesë të kuadrit në institucione.
“Në bazë të kësaj do të bëhet përforcimi i nivelit të përkthyesve dhe lektorëve nëpër institucione, duke marrë profesorë nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe nga Kosova, që sjellin përvoja të ndryshme. Ne në këto trajnime, përveçse kemi diskutuar çështje që krijojnë mëdyshje te përkthyesit gjatë punës së tyre ose në terren, njëkohësisht bëjmë edhe marrëveshje kolegjiale me gjuhëtarët nga vendi dhe jashtë, për të njëjtësuar terminologjinë administrative në ato vende ku ka mundësi të bëhet kjo, kurse për më tutje do të ketë edhe kongrese a seminare të tjera me qëllim të njëjtësimit të terminologjisë administrative”-shprehet prof. A.H. Qamili.
Ajo paralajmëroi edhe modifikime të profesionalizimit të përkthyesve dhe të lektorëve, duke filluar në grupe sikur sivjet, e më pas në ndonjë grup të përbashkët, që të mund mes vete të kenë komunikim për t’i këmbyer përvojat e tyre, për t’i diskutuar çështjet që kanë mëdyshje, për të rritur cilësinë e përkthimeve dhe zbatimin e gjuhës shqipe në të gjitha institucionet shtetërore.
Gjatë këtij cikli trajnues, pjesëmarrësit kishin rast të dëgjojnë ligjërata nga gjuhëtarët më të njohur nga qendrat universitare të Maqedonisë së Veriut, të Shqipërisë dhe të Kosovës, të cilët trajtuan probleme të shumta që dalin nga përdorimi i gjuhës shqipe dhe gjuhëve të tjera zyrtare në administratë. Çështja e terminologjisë dhe e njësimit të saj si nevojë, ndikimet e gjuhëve te njëra-tjetrëa, leksikografia, semiotika, ndikimet në sintaksë dhe një varg problemesh tjera, ishin objekt trajtimi nga profesorët Emil Lafe, Asllan Hamiti, Ismet Osmani, Valter Memisha, Rami Memushaj, Xhevat Lloshi, Berton Sulejmani, Ajtene Hajdari Qamili, Xhelal Zejneli, Afet Mamuti, Qemal Murati, Izer Maksuti, Zeqirja Ibrahimi, Adnan Jashari dhe Mustafa Ibrahimi.
[gallery bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" size="publisher-lg" ids="6220,6217,6214,6211"]

You might also like

News

Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve

Vizitë e veçantë në ambientet e Agjencisë – Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve Sot, në cilësinë e drejtorit të Agjencisë, pata nderin dhe kënaqësinë, që së bashku me z-nj. Shpresa Zeqiri Ibrahimi, të mirëpres dy mysafire të nderuara nga Franca, znj. Sophie Desaint-Germain dhe znj. Séverine Chaillou, profesoresha në kolegjin Félix Buhot në qytetin Valognes të Francës, të cilat po qëndrojnë në vendin tonë në kuadër të programit evropian Erasmus +. Mysafiret franceze shoqëroheshin nga z. Ardian Ramadani, profesor, përkthyes dhe autor librash, si dhe nga znj. Gëzime Ramadani, profesoreshë e gjuhës frënge. Gjatë këtij takimi të ngrohtë dhe miqësor, pata rastin t'i njoftoj mysafiret me veprimtarinë e Agjencisë, misionin e saj institucional, përgjegjësitë dhe detyrat që realizojmë në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë. Takimi gjithashtu ishte një mundësi e çmuar për të shkëmbyer mendime mbi rëndësinë e arsimit, gjuhëve dhe kulturave si ura komunikimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet popujve. Në këtë frymë, theksuam se njohja e ndërsjellë, dialogu ndërkulturor dhe shkëmbimi i përvojave përbëjnë vlera të rëndësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe për afrimin e shoqërive tona. Besoj fuqishëm se gjuha dhe kultura nuk njohin kufij, por krijojnë ura që bashkojnë njerëzit, institucionet dhe kombet. I falënderova mysafiret për vizitën dhe bashkëbisedimin e frytshëm, me shpresën që takime të tilla të shërbejnë si nxitje për bashkëpunime dhe iniciativa të reja në të ardhmen.

Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk