Në ditën e dytë të trajnimit u trajtua përkthimi si proces shumëdimensional

Apr 16, 2026

Në ditën e dytë të trajnimit u trajtua përkthimi si proces shumëdimensional

Në ditën e dytë të trajnimit u trajtua përkthimi si proces shumëdimensional Trajnimi i përkthyesve nga Agjencia e Zbatimit të Gjuhës (AZGj) vazhdoi sot me ditën e dytë me një agjendë të pasur me ligjërata dhe diskutime profesionale. Në këtë drejtim, pjesëmarrësit patën mundësinë të ndjekin ligjëratën e Këshilltarit Shtetëror të Lekturës në AZGj, z. Ahmet Selmani, i cili paraqiti temën e tij të përgatitur posaçërisht për këtë trajnim. Ligjërata e z. Selmani synonte thellimin e njohurive mbi rolin e gjuhës në kontekst institucional dhe shoqëror, duke ofruar perspektiva të reja për përdorimin e saj të denjë dhe të saktë. Ai u ndal në çështje të rëndësishme si semantika, kalket dhe sfidat e përkthimit, duke e trajtuar këtë të fundit si një proces të ndërlikuar dhe shumëdimensional. Pas ligjëratës, u zhvillua një sesion pyetje-përgjigje dhe diskutime të hapura, ku pjesëmarrësit ndanë përvojat e tyre, parashtruan dilema gjuhësore, si dhe pasuruan njohuritë mbi temën e trajtuar. Dita e dytë e trajnimit shënoi një hap të rëndësishëm në formimin profesional të përkthyesve, duke sjellë ide të reja dhe duke nxitur reflektim mbi rolin e përkthimit si proces shumëdimensional.

You might also like

News

Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve

Vizitë e veçantë në ambientet e Agjencisë – Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve Sot, në cilësinë e drejtorit të Agjencisë, pata nderin dhe kënaqësinë, që së bashku me z-nj. Shpresa Zeqiri Ibrahimi, të mirëpres dy mysafire të nderuara nga Franca, znj. Sophie Desaint-Germain dhe znj. Séverine Chaillou, profesoresha në kolegjin Félix Buhot në qytetin Valognes të Francës, të cilat po qëndrojnë në vendin tonë në kuadër të programit evropian Erasmus +. Mysafiret franceze shoqëroheshin nga z. Ardian Ramadani, profesor, përkthyes dhe autor librash, si dhe nga znj. Gëzime Ramadani, profesoreshë e gjuhës frënge. Gjatë këtij takimi të ngrohtë dhe miqësor, pata rastin t'i njoftoj mysafiret me veprimtarinë e Agjencisë, misionin e saj institucional, përgjegjësitë dhe detyrat që realizojmë në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë. Takimi gjithashtu ishte një mundësi e çmuar për të shkëmbyer mendime mbi rëndësinë e arsimit, gjuhëve dhe kulturave si ura komunikimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet popujve. Në këtë frymë, theksuam se njohja e ndërsjellë, dialogu ndërkulturor dhe shkëmbimi i përvojave përbëjnë vlera të rëndësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe për afrimin e shoqërive tona. Besoj fuqishëm se gjuha dhe kultura nuk njohin kufij, por krijojnë ura që bashkojnë njerëzit, institucionet dhe kombet. I falënderova mysafiret për vizitën dhe bashkëbisedimin e frytshëm, me shpresën që takime të tilla të shërbejnë si nxitje për bashkëpunime dhe iniciativa të reja në të ardhmen.

Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk