Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkthimit, AZGJ-ja ua uron këtë ditë të gjithë përkthyesve

Sep 30, 2025

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkthimit, AZGJ-ja ua uron këtë ditë të gjithë përkthyesve

 

Sot është Dita Ndërkombëtare e Përkthimit, që lidhet me Shën Jeronimin (347-420), përkthyesin e njohur të Biblës në latinisht (Vulgata), i cili njihet si shenjtori mbrojtës i përkthyesve. 

Më 24 maj të vitit 2017, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 71/288, me të cilën 30 shtatorin e shpalli si Ditë Ndërkombëtare të Përkthimit në mbarë botën.

Le të kujtojmë se në këtë ditë organizohen aktivitete të shumta anembanë botës nga organizata e institucione të ndryshme arsimore, shkencore, kulturore, artistike, duke e shënuar në forma e mënyra sensibilizuese, me qëllim të ngritjes së vetëdijes dhe vullnetit për respektim të ndërsjellë të të drejtave gjuhësore. 

Sigurisht, edhe Agjencia e Zbatimit ë Gjuhës e RMV-së e ka shënuar vazhdimisht këtë ditë të rëndësishme, duke e kujtuar rëndësinë e veçantë të saj për faktin se gjuhët janë mjet thelbësor i komunikimit ndërmjet njerëzve, aq më tepër në shtetet dhe shoqëritë shumetnike e shumëgjuhëshe ku përkthimi është domosdoshmëri për t’u kuptuar dhe për të qenë më afër njëri-tjetrit si kusht i respektimit të ndërsjellë etnik, gjuhësor, kulturor. 

Duke e pasur si veprimtari kryesore përkthimin, AZGJ-ja gjithmonë ka qenë dhe vazhdon të jetë bartëse e kësaj veprimtarie duke i ndihmuar institucionet shtetërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut për ta zbatuar dygjuhësinë në pajtim me Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve, thjesht duke përkthyer të gjitha aktet, dokumentet, shkresat, procesverbalet, formularët, udhëzuesit, doracakët etj., që janë në interes të qytetarëve. Puna e saj sistematike e ka ngritur në shkallën e institucioneve më aktive brenda vendit, për arsye se ka arritur të krijojë një bashkëveprim më konkret në aspektin e komunikimit qytetar, duke mënjanuar shumë paragjykime e pengesa ndërgjuhësore, si dhe duke krijuar një ndjeshmëri dhe normalitet për funksionimin gjuhësor në RMV. Kjo nënkupton faktin se AZGJ-ja vazhdon të japë kontributin e saj në zbatimin zyrtar të gjuhëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke ruajtur e kultivuar frymën e barazisë dhe të drejtave qytetare si detyrim ligjor, por edhe si një vlerë qytetëruese e demokratike.

Me këtë rast AZGJ-ja ua uron këtë ditë të gjithë përkthyesve të cilët kontribuojnë në këtë drejtim, duke u dëshiruar mbarësi e suksese në të gjitha proceset dhe sfidat e përkthimit të mëtejmë.

You might also like

News

Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve

Vizitë e veçantë në ambientet e Agjencisë – Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve Sot, në cilësinë e drejtorit të Agjencisë, pata nderin dhe kënaqësinë, që së bashku me z-nj. Shpresa Zeqiri Ibrahimi, të mirëpres dy mysafire të nderuara nga Franca, znj. Sophie Desaint-Germain dhe znj. Séverine Chaillou, profesoresha në kolegjin Félix Buhot në qytetin Valognes të Francës, të cilat po qëndrojnë në vendin tonë në kuadër të programit evropian Erasmus +. Mysafiret franceze shoqëroheshin nga z. Ardian Ramadani, profesor, përkthyes dhe autor librash, si dhe nga znj. Gëzime Ramadani, profesoreshë e gjuhës frënge. Gjatë këtij takimi të ngrohtë dhe miqësor, pata rastin t'i njoftoj mysafiret me veprimtarinë e Agjencisë, misionin e saj institucional, përgjegjësitë dhe detyrat që realizojmë në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë. Takimi gjithashtu ishte një mundësi e çmuar për të shkëmbyer mendime mbi rëndësinë e arsimit, gjuhëve dhe kulturave si ura komunikimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet popujve. Në këtë frymë, theksuam se njohja e ndërsjellë, dialogu ndërkulturor dhe shkëmbimi i përvojave përbëjnë vlera të rëndësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe për afrimin e shoqërive tona. Besoj fuqishëm se gjuha dhe kultura nuk njohin kufij, por krijojnë ura që bashkojnë njerëzit, institucionet dhe kombet. I falënderova mysafiret për vizitën dhe bashkëbisedimin e frytshëm, me shpresën që takime të tilla të shërbejnë si nxitje për bashkëpunime dhe iniciativa të reja në të ardhmen.

Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk