Fjalimi i plotë i drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela, në tryezën e rrumbullakët me temë “Shumëgjuhësia në Republikën e Maqedonisë së Veriut – mundësi apo pengesë në procesin e shoqërisë demokratike civile, e organizuar me rastin e Ditës Europiane të Gjuhëve

Sep 26, 2020

Fjalimi i plotë i drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela, në tryezën e rrumbullakët me temë “Shumëgjuhësia në Republikën e Maqedonisë së Veriut – mundësi apo pengesë në procesin e shoqërisë demokratike civile, e organizuar me rastin e Ditës Europiane të Gjuhëve
I nderuar drejtor i Agjencisë së Realizimit të të Drejtave të Komuniteteve, zotëri Hoxhiq,
e nderuara kryetare e Shoqatës së Përkthyesve dhe Interpretuesve, zonja Popova Manasievska,
e nderuara përfaqësuese nacionale e Këshillit të Europës për shënimin e Ditës Europiane të Gjuhëve dhe përfaqësuese e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, zonja Treneska,
e nderuar profesoreshë Dragana Gjoreska,
Të nderuar përfaqësues të medieve!
Të nderuar të pranishëm!
Kam nderin dhe kënaqësinë që së bashku kemi rastin ta shënojmë ngjarjen e sotme, e cila ka rëndësi të veçantë dhe mbahet më 26 shtator, në ditën kur Europa feston shumëgjuhësinë, respektivisht Ditën Europiane të Gjuhëve.
Këtë ditë simbolike e shënon edhe Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së nëpërmjet organizimit të tryezës së sotme të rrumbullakët me një temë shumë të rëndësishme që lidhet me shumëgjuhësinë në një shoqëri demokratike qytetare.
Filozofi i shquar Ludvig Vitgenshtajn ka thënë: “Nuk guxojmë të lejojmë që kufijtë e gjuhës sonë të jenë kufij të botës sonë”. Kjo thënie e urtë na kujton se vlerat e pluralitetit gjuhësor dhe roli i tij koheziv i ndërlidhjes së dallimeve, vazhdimisht duhet të riafirmohen dhe të kultivohen. Në vend që të jetë mjet për ndarje, gjuha duhet të jetë kanal komunikimi, urë lidhëse dhe mjet interaksioni në komunitetin shoqëror.
Shkalla e respektimit dhe e kultivimit të diversitetit gjuhësor është reflektim i shkallës së zhvillimit demokratik të çdo shteti që synon të jetë pjesë e familjes europiane të shteteve me traditë të pasur demokratike.
Besoj që prania e gjithë pjesëmarrësve në ngjarjen e sotme do të mundësojë shkëmbim konstruktiv të ideve, qëndrimeve dhe mendimeve dhe se pjesëmarrësit do ta pasurojnë këtë ngjarje me fjalimet e tyre në drejtim të afirmimit të vlerave që e përforcojnë dhe e avancojnë barazinë gjuhësore, kuptimin e ndërsjellë dhe kohezionin ndëretnik në shoqëri nëpërmjet dialogut, tolerancës gjuhësore dhe respektimit të diversitetit gjuhësor.
Më lejoni që, në fund të fjalimit, edhe njëherë t’ju falënderoj të gjithë folësve dhe mysafirëve të nderuar për pjesëmarrjen në tryezën e sotme.
[gallery bgs_gallery_type="slider" size="publisher-lg" ids="4614,4617"]

You might also like

News

Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve

Vizitë e veçantë në ambientet e Agjencisë – Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve Sot, në cilësinë e drejtorit të Agjencisë, pata nderin dhe kënaqësinë, që së bashku me z-nj. Shpresa Zeqiri Ibrahimi, të mirëpres dy mysafire të nderuara nga Franca, znj. Sophie Desaint-Germain dhe znj. Séverine Chaillou, profesoresha në kolegjin Félix Buhot në qytetin Valognes të Francës, të cilat po qëndrojnë në vendin tonë në kuadër të programit evropian Erasmus +. Mysafiret franceze shoqëroheshin nga z. Ardian Ramadani, profesor, përkthyes dhe autor librash, si dhe nga znj. Gëzime Ramadani, profesoreshë e gjuhës frënge. Gjatë këtij takimi të ngrohtë dhe miqësor, pata rastin t'i njoftoj mysafiret me veprimtarinë e Agjencisë, misionin e saj institucional, përgjegjësitë dhe detyrat që realizojmë në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë. Takimi gjithashtu ishte një mundësi e çmuar për të shkëmbyer mendime mbi rëndësinë e arsimit, gjuhëve dhe kulturave si ura komunikimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet popujve. Në këtë frymë, theksuam se njohja e ndërsjellë, dialogu ndërkulturor dhe shkëmbimi i përvojave përbëjnë vlera të rëndësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe për afrimin e shoqërive tona. Besoj fuqishëm se gjuha dhe kultura nuk njohin kufij, por krijojnë ura që bashkojnë njerëzit, institucionet dhe kombet. I falënderova mysafiret për vizitën dhe bashkëbisedimin e frytshëm, me shpresën që takime të tilla të shërbejnë si nxitje për bashkëpunime dhe iniciativa të reja në të ardhmen.

Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk