Fjalimi i drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela për Ditën e Alfabetit
Nov 21, 2020
Të dashur miq!
Të rralla janë ngjarjet historike të cilat, jo vetëm që nuk harrohen e nuk zbehen fare nga kujtesa jonë kolektive, por, sa më shumë që kalon koha, bëhen gjithnjë e më të rëndësishme, më frymëzuese dhe më ndërgjegjësuese për të gjithë ne. Pa dyshim, këtu bën pjesë edhe Kongresi i Alfabetit, ose Kongresi i Manastirit, i cili sivjet i mbush 112 vjet, si një ngjarje që shënoi kthesë të madhe dhe vendimtare në historinë kulturore të shqiptarëve dhe që e hapi edhe rrugën e konsolidimit shtetëror më 1912.
Së pari, ky kongres është vetvetiu histori, për arsye se populli shqiptar për herë të parë arriti të formësohet në aspektin kulturor duke zgjedhur rrugën e duhur në udhëkryqin e ndërlikuar të historisë, thjesht duke u përcaktuar për modelin alfabetik që do ta përdorte, pra atë latin të cilin e përdorte gjithë Europa, ku gjeografikisht bëjnë pjesë edhe shqiptarët. Në këtë mënyrë ndodhi rikthimi i natyrshëm në gjirin e vet kulturor e qytetërues.
Së dyti, Kongresi i Alfabetit është vetvetiu një simbolikë e veçantë, për arsye se, që nga ajo ditë, kur mbizotëroi fryma e unitetit shqiptar, u bë udhërrëfyes edhe për shumë beteja të tjera të mëvonshme, duke shërbyer si shembull pozitiv se si mund të bëhen shumë gjëra të mëdha me anë të mirëkuptimit e bashkimit. Prandaj, edhe më tej vazhdon të mbetet simbolikë themelore e shqiptarëve, duke u bërë edhe referencë aktuale për arritjen e qëllimeve kulturore, arsimore, shkencore, politike e kombëtare.
Së treti, Kongresi i Manastirit është një testament kulturor e qytetërues i shqiptarëve, të cilin e lexojnë dhe e analizojnë të gjitha brezat duke reflektuar në mënyrë pozitive e racionale. Sigurisht, edhe ne kemi fatin e madh që të flasim e të japim ndihmesë në këtë aspekt, si dhe ta përcjellim frymën e tij tek ata që do të vijnë pas nesh.
Së katërti, Kongresi i Alfabetit na rikthen në kohë dhe në hapësirë, jo vetëm për ta përkujtuar në mënyrë nostalgjike si ngjarje, por edhe për t’u rikthyer fizikisht në qytetin e Manastirit si vatër e rëndësishme e Rilindjes sonë Kombëtare dhe për të dëshmuar kujdesin dhe mirënjohjen tonë ndaj tij, për t’i bërë sfidë harresës dhe shpërfilljes në këtë kohë marramendëse. Dhe si i tillë, Manastiri mbetet krenari kombëtare.
Natyrisht, të gjitha këto mua personalisht më bëjnë jashtëzakonisht krenar si shqiptar, por aq më tepër edhe si drejtor që kam fatin ta udhëheq Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës Shqipe, e cila çdo ditë e më tepër jep ndihmesën e vet në zbatimin zyrtar të kësaj gjuhe, e cila shkruhet pikërisht me ato shkronja që u zgjodhën si model në Kongresin e Alfabetit më 1908 në Manastir.
Uroj që kjo ngjarje të mbetet testament i përjetshëm kombëtar. Pa shkronja, nuk ka gjuhë. Pa gjuhë, nuk ka komb. Duhet ta kemi të qartë se vetëm me këto shkronja dhe me këtë gjuhë, ne do të quhemi shqiptarë në kuptimin thelbësor.
Ju falemnderit!
Linku i fjalimit të drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela për Ditën e Alfabetit
Njoftime
Shiko të gjithaBuletin
Shiko të gjithaFurnizime Publike
Shiko të gjithaInformacion kontakti
-
St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia -
Phone number
02 312 1731
- Email
info@apj.gov.mk - Email