Fjalimi i drejtorit të AZGJ-së Ylber Sela në promovimin e Udhëzuesit për Zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve

Jan 15, 2020

Fjalimi i drejtorit të AZGJ-së Ylber Sela në promovimin e Udhëzuesit për Zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve
Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që të them pak fjalë për Udhëzuesin e Zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, të parin e këtij lloji këtu te ne, me qëllim që të sjellë në një vend legjislacionin, politikat dhe rolin e strukturave institucionale të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që procesi i respektimit të së drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe, si një e drejtë themelore e shqiptarëve, të zbatohet në mënyrë efektive dhe të përgjegjshme, gjë që është në interesin dhe stabilitetin e kësaj shoqërie ku jetojmë. Para së gjithash kjo do të kontribuojë dukshëm në aspektin e paraqitjes sa më të mirë të institucioneve, për një imazh sa më pozitiv dhe për një nivel sa më të lartë të funksionimit të ligjit. Gjatë viteve që kemi lënë pas, institucionet e larta shtetërore janë angazhuar në mënyrë të vazhdueshme për të krijuar bazën e mjaftueshme ligjore lidhur me përdorimin zyrtar të gjuhëve, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal. Siç e kemi të njohur, Republika e Maqedonisë së Veriut tanimë ka një legjislacion më të avancuar, i cili rregullon më qartë përdorimin e gjuhëve në institucione. Dhe sado që është kompletuar kjo infrastrukturë ligjore për përdorimin e gjuhëve, prapëseprapë, gjatë zbatimit praktik shfaqen vështirësi dhe sfida të ndryshme. Në të vërtetë, ky udhëzues nuk e ndryshon ligjin që është në fuqi, por bën një shpjegim të qartë për sa i përket zbatimit të tij në praktikën shoqërore. Prandaj, të gjithë qytetarët, përfaqësuesit e institucioneve, politikëbërësit, planifikuesit dhe praktikuesit kanë në duar një mjet lehtësues për t’u qasur në informacionet që kanë të bëjnë me detyrimet institucionale ndaj të drejtave të qytetarëve për përdorimin e gjuhës që e flasin së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Më lejoni të falënderoj të gjithë ata që kanë dhënë ndihmesën e tyre të çmuar në hartimin e këtij udhëzuesi. [gallery size="publisher-lg" bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" ids="3342,3345,3348,3351,3354"]

You might also like

News

Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve

Vizitë e veçantë në ambientet e Agjencisë – Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve Sot, në cilësinë e drejtorit të Agjencisë, pata nderin dhe kënaqësinë, që së bashku me z-nj. Shpresa Zeqiri Ibrahimi, të mirëpres dy mysafire të nderuara nga Franca, znj. Sophie Desaint-Germain dhe znj. Séverine Chaillou, profesoresha në kolegjin Félix Buhot në qytetin Valognes të Francës, të cilat po qëndrojnë në vendin tonë në kuadër të programit evropian Erasmus +. Mysafiret franceze shoqëroheshin nga z. Ardian Ramadani, profesor, përkthyes dhe autor librash, si dhe nga znj. Gëzime Ramadani, profesoreshë e gjuhës frënge. Gjatë këtij takimi të ngrohtë dhe miqësor, pata rastin t'i njoftoj mysafiret me veprimtarinë e Agjencisë, misionin e saj institucional, përgjegjësitë dhe detyrat që realizojmë në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë. Takimi gjithashtu ishte një mundësi e çmuar për të shkëmbyer mendime mbi rëndësinë e arsimit, gjuhëve dhe kulturave si ura komunikimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet popujve. Në këtë frymë, theksuam se njohja e ndërsjellë, dialogu ndërkulturor dhe shkëmbimi i përvojave përbëjnë vlera të rëndësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe për afrimin e shoqërive tona. Besoj fuqishëm se gjuha dhe kultura nuk njohin kufij, por krijojnë ura që bashkojnë njerëzit, institucionet dhe kombet. I falënderova mysafiret për vizitën dhe bashkëbisedimin e frytshëm, me shpresën që takime të tilla të shërbejnë si nxitje për bashkëpunime dhe iniciativa të reja në të ardhmen.

Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk