Fjalimi i Drejtorit të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës në Akademinë Solemne kushtuar 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës shqipe

Nov 21, 2025

Fjalimi i Drejtorit të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës në Akademinë Solemne kushtuar 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës shqipe

 

I nderuar Prof. Dr. Bekim Fetaji, rektor i Universitetit Nënë Tereza

I nderuar z. Nuer Arsllani, drejtor i Muzeut të Alfabetit në Manastir

I nderuar z. Aldo Kelmenti, përfaqësues i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në RMV

Të nderuar të pranishëm,

Disa data i përkasin jo vetëm historisë, por edhe ndërgjegjes së një kombi. Ka momente kur kombet nuk shkruajnë thjesht vendime, por fatin e tyre. Dhe 22 Nëntori është pikërisht një prej atyre kulmeve ku gjuha, identiteti dhe fati ynë kolektiv u takuan në të njëjtën tryezë, në Manastir, për t’i dhënë shqiptarëve një alfabet, pra një mënyrë të vetme për të shkruar veten.

Sot, në këtë ditë të shenjtë të kulturës sonë, ne nderojmë Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe - një ndër gurët më të rëndë të themelit të shtetësisë, qytetarisë dhe ndërgjegjes kombëtare.

Si Drejtor i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës Shqipe, ndihem i privilegjuar që flas në emër të një institucioni që ka për mision mbrojtjen, kultivimin dhe zbatimin e gjuhës sonë në të gjitha nivelet e jetës publike.

Kongresi i Manastirit (14–22 nëntor 1908) ishte një dritare drejt së ardhmes që ne sot e quajmë të tashme. Ishte kuvendi më i rëndësishëm kombëtar i fillimshekullit XX, ku 50 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare u mblodhën jo vetëm për të diskutuar rreth alfabetit, por për të përcaktuar drejtimin e vetë kombit.

Në qendër të këtij procesi qëndroi komisioni prej 11 delegatësh, i kryesuar nga Gjergj Fishta, dhe i përbërë nga emra të mëdhenj si Ndre Mjeda, Gjergj Qiriazi, Mid’hat Frashëri, Luigj Gurakuqi e shume të tjerë. Pas debatit, punës dhe vizionit të tyre, u krijua alfabeti i ri, i mbështetur plotësisht në traditën e alfabetit latin alfabeti që brenda pak vitesh u bë i vetmi, i përbashkët dhe i pandashëm për të gjithë shqiptarët.

Vendimet e Kongresit nuk ishin vetëm teknike, ato ishin akte themelimi. Ato ngritën arsimin, forcuan kulturën, bashkuan ndërgjegjen dhe krijuan premisat e emancipimit tonë kombëtar.

Sot, kur gjuha shqipe sfidohet nga globalizimi, teknologjia dhe shpeshherë nga pakujdesia jonë, kujtesa e Kongresit të Manastirit na fton të kuptojmë se mbrojtja e gjuhës është vazhdim i asaj beteje të filluar në vitin 1908. Është betejë e dijes, e kulturës dhe e dinjitetit tonë.

Në këtë ditë të shënuar, i bashkohem urimit të të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë: Gëzuar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!

Lavdi e përjetshme të gjithë 36 delegatëve të Kongresit të Manastirit, të cilët mbeten dritë udhërrëfyese në altarin e kombit.

Detyra jonë sot është t’i qëndrojmë besnikë asaj trashëgimie, duke e mbrojtur gjuhën, duke e përdorur me dinjitet dhe duke e lartësuar si pasurinë më të çmuar të identitetit tonë.

Granit Osmani, drejtor i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës

You might also like

News

Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve

Vizitë e veçantë në ambientet e Agjencisë – Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve Sot, në cilësinë e drejtorit të Agjencisë, pata nderin dhe kënaqësinë, që së bashku me z-nj. Shpresa Zeqiri Ibrahimi, të mirëpres dy mysafire të nderuara nga Franca, znj. Sophie Desaint-Germain dhe znj. Séverine Chaillou, profesoresha në kolegjin Félix Buhot në qytetin Valognes të Francës, të cilat po qëndrojnë në vendin tonë në kuadër të programit evropian Erasmus +. Mysafiret franceze shoqëroheshin nga z. Ardian Ramadani, profesor, përkthyes dhe autor librash, si dhe nga znj. Gëzime Ramadani, profesoreshë e gjuhës frënge. Gjatë këtij takimi të ngrohtë dhe miqësor, pata rastin t'i njoftoj mysafiret me veprimtarinë e Agjencisë, misionin e saj institucional, përgjegjësitë dhe detyrat që realizojmë në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë. Takimi gjithashtu ishte një mundësi e çmuar për të shkëmbyer mendime mbi rëndësinë e arsimit, gjuhëve dhe kulturave si ura komunikimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet popujve. Në këtë frymë, theksuam se njohja e ndërsjellë, dialogu ndërkulturor dhe shkëmbimi i përvojave përbëjnë vlera të rëndësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe për afrimin e shoqërive tona. Besoj fuqishëm se gjuha dhe kultura nuk njohin kufij, por krijojnë ura që bashkojnë njerëzit, institucionet dhe kombet. I falënderova mysafiret për vizitën dhe bashkëbisedimin e frytshëm, me shpresën që takime të tilla të shërbejnë si nxitje për bashkëpunime dhe iniciativa të reja në të ardhmen.

Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk