Fjalë rasti e drejtorit Ylber Sela në përurimin e librit “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit” të Fatmir Toçit

May 12, 2022

Fjalë rasti e drejtorit Ylber Sela në përurimin e librit “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit” të Fatmir Toçit

Të nderuar miq! Duke marrë pjesë në këtë aktivitet promovues, në radhë të parë dua të theksoj se është një sfidë e veçantë dhe e përhershme të futesh në botën e arbëreshëve të Italisë, aq më tepër nëse këtë e bën në mënyrë hulumtuese për të nxjerrë në dritë realitetin e dhimbshëm të kësaj mërgate të moçme, e cila njëkohësisht mbeti edhe si krenari e veçantë kombëtare e shqiptarëve. Gjithsesi, në këtë rast duhet të themi troç se pa arbëreshët ne nuk do të ishim këta që jemi sot; popull me gjuhë, me histori, me kulturë, me tradita etj. Pa dyshim, libri “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit” i autorit Fatmir Toçi na çon ose na e kujton se mërgata arbëreshe është zemra e shqiptarëve. Aty është shpërngulja dhe vuajtja, historia dhe qëndresa, identiteti dhe natyralizimi, ekzistenca dhe vizioni. Autori në fjalë shpalos realitetin e saj duke na ballafaquar me fenomenin arbëresh i cili ia doli të mbijetojë deri në ditët e sotme pa u zhdukur as në rrethanat globale. Faktet historike dhe të dhënat e shumta që i sjell në këtë libër, nxjerrin në sipërfaqe atë që e kishim humbur gjatë historisë, pra atdheun i cili mbeti në duart e pushtuesve. Megjithatë, nga ana tjetër mund të kuptohet se arbëreshët krijuan atdheun virtual duke e bartur atë brez pas brezi në kujtesën e tyre kolektive, duke e ruajtur dhe duke e kultivuar gjuhën e lashtë, si dhe duke e ndërtuar vizionin për rikrijimin e atdheut real. Duke e lexuar këtë libër shumë të rëndësishëm historiko-kulturor, sigurisht ne kthehemi në thelbin e historisë dhe të realitetit tonë duke reflektuar më thellë për atë që kemi qenë, për atë që jemi dhe për atë që do të jemi. Mbi të gjitha, e arrijmë ta freskojmë kujtesën tonë kolektive e kombëtare, arrijmë të frymëzohemi për ta ruajtur edhe më tej qenien dhe identitetin tonë, veçanërisht gjuhën shqipe e cila po rrezikohet nga trysnia globale. Arbëreshet që i shpalos Fatmir Toçi në të gjitha dimensionet historike, kulturore, politike, shoqërore, ekzistenciale etj., na bëjnë të mendojmë dhe të bindemi se çdo vështirësi mund të tejkalohet dhe përsëri të mbetemi shqiptarë kudo që të jemi. Kjo do të thotë se proceset integruese që janë duke ndodhur, nuk nënkuptojnë edhe zhdukjen e asimilimin, por konkurrencën dhe komunikimin e barabartë midis popujve në kontinentin tonë. Duke qenë në krye të një institucioni që kujdeset për gjuhën shqipe, siç është Agjencia e Zbatimit të Gjuhës, aq më tepër ndihem i detyruar që të angazhohem në këtë aspekt. Prandaj, mund të them se libri i Fatmir Toçit është ftesë për të gjithë ne, që ta mbrojmë qenien tonë, sidomos ta ruajmë gjuhën shqipe e cila është testament i përjetshëm. Faleminderit për vëmendjen! Shkup, 6.5.2022   

You might also like

Speeches\Interviews

Fjalë rasti e drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela në shënimin e 10 qershorit, Ditës së Lidhjes së Prizrenit

Të dashur miq!Sot, kur po e shënojmë Ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila u themelua më 1878, pra para 144 vjetësh, gjithsesi kemi një arsye të fuqishme për ta përkujtuar njërën nga motot kryesore të saj: “Pa gjuhë nuk ka komb”, moto kjo e cila edhe në këto rrethana na kthen tek esenca dhe semantika e saj. Nga ky këndvështrim ndoshta mund të duket pak romantike, por realisht kjo paraqet thelbin dhe vizionin kryesor të shqiptarëve në këtë periudhë të ndryshimeve historike.Pra, duhet ta përsërisim vazhdimisht se pa këtë gjuhë nuk ka asnjë perspektivë dhe as që mund ta paramendojmë ekzistencën tonë kombëtare. Siç e dimë, gjuha shqipe u kultivua nga rilindësit tanë dhe u ngrit në piedestalin më të lartë, prandaj këtë patjetër duhet ta bëjmë edhe sot pa asnjë ngurrim e pa asnjë dilemë.Duke qenë në krye të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, mua më bie barra e përgjegjësisë që testamentin kombëtar të paraardhësve tanë për gjuhën shqipe ta bëj realitet edhe në këto hapësira ku jetojmë dhe veprojmë. Kjo nënkupton faktin se gjuhën shqipe duhet ta futim në përdorim zyrtar në institucionet shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut në përputhje me Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve, së pari duke i ndihmuar institucionet që ta zbatojnë atë me përpikëri, por nga ana tjetër edhe duke zhvilluar aktivitete që kanë të bëjnë me ruajtjen, kultivimin, afirmimin dhe trajtimin ligjor të saj. Natyrisht, pjesëmarrja jonë e drejtpërdrejtë në këto aktivitete kulturore e shkencore, por edhe bashkëpunimi me institucionet e tjera anekënd hapësirës shqiptare dhe më gjerë, aq më tepër na bën krenarë që jemi kontribues të denjë për gjuhën shqipe.Me këtë rast, unë jam i prirur që në suaza të Lidhjes së Prizrenit ta shohim edhe veten tonë si një institucion që ka lindur si rezultat i vizionit të saj për gjuhën shqipe. Prandaj konsideroj se ne jemi trashëgimia dhe vazhdimësia historike dhe aktuale, jemi bartësit e frymës dhe të ideve të saj. Me anë të gjuhës shqipe ne do të vazhdojmë të ndihemi dhe ta quajmë veten shqiptarë deri në frymën e fundit. Në fakt, kjo është një arritje e madhe qytetëruese, kulturore dhe kombëtare për të cilën duhet të mburremi brez pas brezi. Dhe si e tillë kjo i bën krenarë shqiptarët, pa i dëmtuar të tjerët në asnjë mënyrë.Në fund, dëshiroj të theksoj se Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së do të mbetet besnike në këtë ecuri të pandalshme, gjithmonë duke menduar, folur e shkruar shqip. Ne çdo ditë japim mesazhin tonë: Jemi shqiptarë, prandaj duhet të flasim shqip kudo që të jemi, ndaj edhe në nivelet shtetërore. Në këtë mënyrë e përmbushim amanetin historik të Lidhjes së Prizrenit duke mbetur përjetësisht shqiptarë.Ju falemnderit![gallery size="publisher-lg" bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" ids="8748,8751,8754"]

Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk