Drejtori i AZGJ-së Ylber Sela në takim pune në Komunën e Petrovecit

Mar 15, 2021

Drejtori i AZGJ-së Ylber Sela në takim pune në Komunën e Petrovecit
Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës (AZGJ), Ylber Sela, i shoqëruar nga ekipi i tij, sot ishte në vizitë të Komunës së Petrovecit, ku u prit nga kryetari i saj, Borçe Mitevski.
Vizita u realizua me nismë të drejtorit Sela, me qëllim këqyrjen e gjendjes së zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në këtë njësi të vetëqeverisjes vendore, në të cilën rreth 23% e popullsisë janë shqiptarë, sipas të dhënave nga regjistrimi i fundit, si edhe vendosjen e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, lidhur me përdorimin e gjuhëve zyrtare.
Për arsye të rrjedhjes së pandërprerë të proceseve të punës, drejtori Sela ofroi mbështetje profesionale për përkthimin dhe lektorimin e formularëve dhe dokumenteve zyrtare.
Nga ana tjetër, kryetari Borçe Mitevski shprehu gatishmëri dhe vullnet të përmirësohet gjendja e përdorimit të gjuhës shqipe, përmes procesit të bashkëpunimit dhe të mbështetjes së AZGJ-së.
Në fund të takimit, drejtori Sela i dha kryetarit Mitevski një përmbledhje me publikime të AZGJ-së, lidhur me implementimin e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve.

You might also like

News

Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve

Vizitë e veçantë në ambientet e Agjencisë – Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve Sot, në cilësinë e drejtorit të Agjencisë, pata nderin dhe kënaqësinë, që së bashku me z-nj. Shpresa Zeqiri Ibrahimi, të mirëpres dy mysafire të nderuara nga Franca, znj. Sophie Desaint-Germain dhe znj. Séverine Chaillou, profesoresha në kolegjin Félix Buhot në qytetin Valognes të Francës, të cilat po qëndrojnë në vendin tonë në kuadër të programit evropian Erasmus +. Mysafiret franceze shoqëroheshin nga z. Ardian Ramadani, profesor, përkthyes dhe autor librash, si dhe nga znj. Gëzime Ramadani, profesoreshë e gjuhës frënge. Gjatë këtij takimi të ngrohtë dhe miqësor, pata rastin t'i njoftoj mysafiret me veprimtarinë e Agjencisë, misionin e saj institucional, përgjegjësitë dhe detyrat që realizojmë në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë. Takimi gjithashtu ishte një mundësi e çmuar për të shkëmbyer mendime mbi rëndësinë e arsimit, gjuhëve dhe kulturave si ura komunikimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet popujve. Në këtë frymë, theksuam se njohja e ndërsjellë, dialogu ndërkulturor dhe shkëmbimi i përvojave përbëjnë vlera të rëndësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe për afrimin e shoqërive tona. Besoj fuqishëm se gjuha dhe kultura nuk njohin kufij, por krijojnë ura që bashkojnë njerëzit, institucionet dhe kombet. I falënderova mysafiret për vizitën dhe bashkëbisedimin e frytshëm, me shpresën që takime të tilla të shërbejnë si nxitje për bashkëpunime dhe iniciativa të reja në të ardhmen.

Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk