Agjencia e Zbatimit të Gjuhës shënon Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare

Feb 21, 2022

Agjencia e Zbatimit të Gjuhës shënon Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare
Me rastin e 21 Shkurtit – Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, në hapësirat e Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV- së, u mbajt tryezë e rrumbullakët me temë “Gjuha amtare – përfitim civilizues ose barrierë demokratike në shekullin XXI”.
Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela, e hapi tryezën me fjalën e tij para të pranishmëve, panelistëve dhe përfaqësuesve të medieve. “Gjuha është aftësi e lindur biologjike, por mësimi i saj është proces i përjetshëm. Është burim i pashtershëm që rrjedh dhe që duhet të kultivohet, të përmirësohet dhe të kujdesemi për pastërtinë e saj. Gjuha amtare jo vetëm simbolizon veçantinë e një populli, e një kulture, një historie, por shërben edhe për bashkimin e njerëzve dhe lidhjen kulturore të brezave që ndërtojnë vlera civilizuese në shoqëri”, tha drejtori Sela.
Në vazhdim të fjalës së tij, drejtori Sela theksoi se në këtë datë të rëndësishme shprehim respektin tonë për gjuhën shqipe, si gjuhë zyrtare në nivel institucional dhe gjuhë amtare e shumë qytetarëve në vendin tonë dhe se gjuha amtare dhe përdorimi pa probleme i saj është një e drejtë themelore e çdo individi, e garantuar me akte të shumta ndërkombëtare.
Në tryezën e rrumbullakët folën edhe Lulzim Aliu, zëvendësministër i Arsimit dhe i Shkencës; Xhelal Hoxhiq, zëvendësdrejtor i Agjencisë së Realizimit të të Drejtave të Pakicave; Xheladin Murati, pedagog dhe ish-profesor universitar; Begzat Baliu nga Universiteti “Hasan Prishtina” në Prishtinë, Republika e Kosovës; Manjola Lumani nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Republika e Shqipërisë; Sejdi Gashi nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, Republika e Kosovës; Ajten Hajdari-Qamili nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, si dhe Liljana Pandeva nga Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së.
[gallery size="publisher-lg" bgs_gallery_type="slider" bgs_gallery_image_size="full" ids="7684,7687,7690,7693,7696,7699,7702"]

You might also like

News

Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve

Vizitë e veçantë në ambientet e Agjencisë – Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve Sot, në cilësinë e drejtorit të Agjencisë, pata nderin dhe kënaqësinë, që së bashku me z-nj. Shpresa Zeqiri Ibrahimi, të mirëpres dy mysafire të nderuara nga Franca, znj. Sophie Desaint-Germain dhe znj. Séverine Chaillou, profesoresha në kolegjin Félix Buhot në qytetin Valognes të Francës, të cilat po qëndrojnë në vendin tonë në kuadër të programit evropian Erasmus +. Mysafiret franceze shoqëroheshin nga z. Ardian Ramadani, profesor, përkthyes dhe autor librash, si dhe nga znj. Gëzime Ramadani, profesoreshë e gjuhës frënge. Gjatë këtij takimi të ngrohtë dhe miqësor, pata rastin t'i njoftoj mysafiret me veprimtarinë e Agjencisë, misionin e saj institucional, përgjegjësitë dhe detyrat që realizojmë në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë. Takimi gjithashtu ishte një mundësi e çmuar për të shkëmbyer mendime mbi rëndësinë e arsimit, gjuhëve dhe kulturave si ura komunikimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet popujve. Në këtë frymë, theksuam se njohja e ndërsjellë, dialogu ndërkulturor dhe shkëmbimi i përvojave përbëjnë vlera të rëndësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe për afrimin e shoqërive tona. Besoj fuqishëm se gjuha dhe kultura nuk njohin kufij, por krijojnë ura që bashkojnë njerëzit, institucionet dhe kombet. I falënderova mysafiret për vizitën dhe bashkëbisedimin e frytshëm, me shpresën që takime të tilla të shërbejnë si nxitje për bashkëpunime dhe iniciativa të reja në të ardhmen.

Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk