Agjencia e Zbatimit të Gjuhës përfundon me sukses vitin 2024

Jan 2, 2025

Agjencia e Zbatimit të Gjuhës përfundon me sukses vitin 2024

 

Agjencia e Zbatimit të Gjuhës (AZGj) ka përmbyllur me sukses vitin 2024, duke e shënuar këtë vit edhe me emërimin e drejtorit të ri, z. Granit Osmani.

Në vitin që lamë pas, Agjencia ka realizuar të gjitha kërkesat e institucioneve shtetërore për përkthim dhe lekturim në gjuhën shqipe, përfshirë këtu edhe lekturimin e akteve që janë dërguar për t'u botuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Përtej kësaj, AZGj ka organizuar trajnime për përkthyesit dhe lektorët e punësuar në administratën publike të RMV-së. Ligjëratat e mbajtura mbulonin tema të ndryshme, me fokus në përdorimin e gjuhës shqipe në sektorin publik në të gjitha nivelet. Profesionistë të njohur të gjuhës shqipe nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova ishin ligjëruesit kryesorë të këtyre trajnimeve.

Në vitin 2024, Agjencia e shënoi Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit me një tryezë të rrumbullakët, ku morën pjesë emra të njohur nga fusha e gjuhësisë. Po ashtu, me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit Shqip, u mbajt një konferencë shkencore me temën "Gjuha dhe Etnia", që u mbyll me promovimin e disa librave të rëndësishëm.

Në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar, AZGj zhvilloi një takim pune me përfaqësues të Zyrës së Komisionerit për Gjuhë të Kosovës. Gjithashtu, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në RMV dhe në bashkëpunim me Institutin e Demokracisë “Societas Civilis”, Agjencia ka përgatitur dhe shpërndarë një pyetësor anketimi në institucione shtetërore, shëndetësore, arsimore, si dhe në ndërmarrjet publike dhe pushtetin gjyqësor. Ky pyetësor kishte për qëllim vlerësimin e shkallës së përmbushjes së obligimeve të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve.

Bashkëpunimi ndërinstitucional ka qenë intensiv dhe i suksesshëm, duke reflektuar një angazhim të lartë për përmirësimin e kushteve të përdorimit të gjuhës shqipe në institucione dhe administratë.

Në vitin 2025, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës do të vazhdojë të realizojë detyrat e saj ligjore dhe përgjegjësitë profesionale në mënyrë efektive.

You might also like

News

Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve

Vizitë e veçantë në ambientet e Agjencisë – Një urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve Sot, në cilësinë e drejtorit të Agjencisë, pata nderin dhe kënaqësinë, që së bashku me z-nj. Shpresa Zeqiri Ibrahimi, të mirëpres dy mysafire të nderuara nga Franca, znj. Sophie Desaint-Germain dhe znj. Séverine Chaillou, profesoresha në kolegjin Félix Buhot në qytetin Valognes të Francës, të cilat po qëndrojnë në vendin tonë në kuadër të programit evropian Erasmus +. Mysafiret franceze shoqëroheshin nga z. Ardian Ramadani, profesor, përkthyes dhe autor librash, si dhe nga znj. Gëzime Ramadani, profesoreshë e gjuhës frënge. Gjatë këtij takimi të ngrohtë dhe miqësor, pata rastin t'i njoftoj mysafiret me veprimtarinë e Agjencisë, misionin e saj institucional, përgjegjësitë dhe detyrat që realizojmë në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë. Takimi gjithashtu ishte një mundësi e çmuar për të shkëmbyer mendime mbi rëndësinë e arsimit, gjuhëve dhe kulturave si ura komunikimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet popujve. Në këtë frymë, theksuam se njohja e ndërsjellë, dialogu ndërkulturor dhe shkëmbimi i përvojave përbëjnë vlera të rëndësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe për afrimin e shoqërive tona. Besoj fuqishëm se gjuha dhe kultura nuk njohin kufij, por krijojnë ura që bashkojnë njerëzit, institucionet dhe kombet. I falënderova mysafiret për vizitën dhe bashkëbisedimin e frytshëm, me shpresën që takime të tilla të shërbejnë si nxitje për bashkëpunime dhe iniciativa të reja në të ardhmen.

Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk